11 nëntor, 2023 – Prishtina ka arkëtuar një pikë në duel me rivalin e vjetër, Lirinë, në kuadër të javës së 14-të në Albi Mall Superligë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaçi”, u mbyll me shifrat 2:2. Bardhekaltrit e kryeqytetit patën fillim të furishëm, duke krijuar epërsi prej dy golash përmes Blesas (3’) dhe Kryeziut (9’). Megjithatë, në pjesën e dytë skuadra prizrenase shfaqi lojë dukshëm më të mirë dhe arriti të shënojë dy gola përmes Stafës (75’) dhe Megamenos (83’). Prishtina mbetet në vendin e pestë me 18 pikë, kurse Liria është e fundit me 9 sosh.
Ndërkohë, Drita ka marrë pikët e plota në duel me Fushë Kosovën (1:0). Golin e fitores e realizoi Besnik Krasniqi (84’). Me të njëjtin rezultat fitore ka shënuar edhe Llapi ndaj Feronikelit ’74. Hamdi Namani (29’) shënoi golin e trepikëve të rëndësishme të llapjanëve. Pas kësaj fitore, Llapi ka 25 pikë aq sa ka edhe Drita.