6 shkurt, 2023 – Tashmë dihen të gjitha skuadrat çerekfinaliste të Kupës së Kosovës në futboll. Skuadra e fundit që e sigurojë biletën për në këtë fazë të garave është Prishtina. Bardhekaltrit e kryeqytetit, të hënën, në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, kanë shënuar fitore ndaj Dukagjinit të Klinës, me rezultat 3:1. Kjo ndeshje u shty paraprakisht për 24 orë për shkak të kushteve atmosferike dhe ngricave në fushën e këtij stadiumi. Më herët pjesëmarrjen në mesin e tetë skuadrave më të mira në garat e kupës e kanë siguruar Llapi, Ballkani, Gjilani, Malisheva, Behari, Feronikeli’74 dhe Vushtrria. Për kualifikimin e Prishtinës kontribuoi përforcimi i afatit kalimtar të dimrit, Jalen Blesa, i cili realizoi dy gola. Ai shënoi në minutën e 20-të dhe në atë të 48-të, derisa paraprakisht shifrat i zhbllokoi Leotrim Kryeziu, në minutën e 9-të. Golin e vetëm për skuadrën mysafire e realizoi ukrainasi, Vladyslav Khomutov, në minutën e 77-të.