21 qershor, 2021 – FC Prishtina nesër (e martë) do ta shkruajë një faqe të re në historinë e saj, pasi do të debutojë në garat e Ligës së Kampionëve. Skuadra nga kryeqyteti ka marrë pjesë vazhdimisht në garat evropiane që nga anëtarësimi i FFK-së në UEFA, por kjo është hera e parë që do të jetë pjesë e garës elitare.
FC Prishtina në gjysmëfinale të raundit parakualifikues do të përballet me skuadrën Folgore nga San Marino. Ndeshja zhvillohet në “Elbasan Arena”, në orën 20:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën ArtMotion. Në rast fitoreje atëherë Prishtina në finale do të takohet me fituesin e çiftit tjetër Havnar Bóltfelag – Inter Club d’Escaldes. Ndërkaq, fituesi i rrethit parakualifikues në raundin e parë kualifikues do të ballafaqohet me skuadrën e njohur hungareze, Ferencvaros.