26 gusht, 2023 – Prishtina është rikthyer te fitorja, duke e mposhtur Malishevën në kuadër të javës së tretë në Albi Mall Superligë. Ndeshja e zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali është mbyllur me rezultat 3:1 në të mirë të skuadrës së drejtuar nga Debatik Curri. Për Prishtinën kjo ishte fitorja e dytë në këtë edicion dhe vjen pas barazimit pa gola me Gjilanin në javën e kaluar. Në anën tjetër, për Malishevën kjo është humbja e parë pas dy fitoreve radhazi. Kryeqytetasit e gjetën golin në minutën e 11-të përmes Leotrim Kryeziut nga penalltia. Epërsinë në 2:0 e shtoi Drilon Islami në minutën e 38-të, me të cilin rezultat skuadrat shkuan në pushim. Loja e mirë e prishtinasve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, kur Hasan Hyseni shënoi pas një aksioni të shkëlqyeshëm në minutën e 63-të, me asistim të Jalen Blesas. Ndërkohë, golin e vetëm për mysafirët e shënoi futbollisti kamerunas, Robert Mathieu Ndjigi, në minutën e 68-të. Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Feronikeli 74 realizoi fitore të vështirë para tifozëve të vet në duel me Gjilanin, me rezultat 1:0. Golin e fitores për skuadrën nga Drenasi e shënoi Shpresim Zogu, në minutën e 86-të. Për Feronikelin 74 kjo ishte fitorja e parë pas në elitë.