28 tetor, 2023 – Prishtina e ka nisur me fitore epokën me trajnerin nigerian, Emmanuel Egbo. Pas shtatë ndeshjeve pa fitore, bardhekaltrit e kryeqytetit, të shtunën në mbrëmje, iu gëzuan fitores në stadiumin “Fadil Vokrri” në duel me Gjilanin, me rezultat 2:1, në kuadër të javës së 11-të. Të dy golat për Prishtinën i realizoi sulmuesi amerikan, Jalen Blesa (42’ e 95’). Ndërkaq, golin e barazimit të përkohshëm për skuadrën e drejtuar nga Gentjan Mezani e realizoi Redon Ismaili (80’). Më herët gjatë ditës së sotme, Fushë Kosova dhe Malisheva barazuan pa gola në Lipjan. Tri ndeshjet e tjera të kësaj jave zhvillohen të dielën.