prishtina-drita-finalja29 shtator, 2016 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 7-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Prishtina ka vazhduar serinë e sukseseve, duke shijuar fitoren e gjashtë në këtë edicion për ta blinduar pozitën e parë edhe pas kësaj jave. Edhe këtë herë heroi i prishtinasve ishte Debatik Curri, i cii shënoi golin e vetëm dhe të fitores në minutën e 82-të në duel me Ferizajn, me gjuajtje nga distanca. Prishtina pati një mori rastesh, duke përfshirë këtu edhe penalltinë e parealizuar të Ahmet Januzit, në minutën e 64-t, që qëlloi shtyllën dhe Basit Khalid, në minutën e 31-të kur qëlloi tërthorësen. Ndërkohë, fitore para tifozëve të vet ka realizuar edhe Llapi, duke e mposhtur Besën, me rezultat 3:2.  Pejanët krijuan epërsi prej dy golash qysh pas pesë minutash lojë, me një gol të Qemail Elshanit (2’) dhe një autogol të vendasve (5’). Mirëpo, kur dukej se skuadra e Gani Sejdiut nuk do ta ketë të vështirë të sigurojë tri pikë në udhëtim, në pjesën e dytë ndryshoi gjithçla në të mirë të llapjanëve, të cilët arritën të përmbysin rezultatin, me golat e shënuar nga Florim Bërbatovci (48’), Bujar Idrizi (57’) dhe Edon Zeqiri (85’), për t’ia shkaktuar humbjen e parë Besës në këtë edicion.