7 shtator, 2016 – Sot janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së tretë në Vala Superligë. Prishtina ka shënuar fitoren e tretë radhazi, duke e mposhtur me lehtësi Hajvalinë, në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, me rezultat 3:0. Golat për bardhekaltrit i shënuan Labinot Osmani (1’), Liridon Leci (10’) dhe Ahmed Januzi (62’). Prishtina në 25 minutat e fundit luajti me dy lojtarë më pak, pasi Debatik Curri dhe Endrit Krasniqi u përjashtuan për shkak të dy kartonëve të verdhë. Drenica ka barazuar para tifozëve të vet kundër Besës, me rezultat 1:1. Vendasit i kaloi në epërsi Mziu, në minutën e 62-të, por fitoren kuqezinjve të Skenderajt ia mohoi Qemail Elshani, me golin e shënuar në minutën e 90’+. Në tri ndeshjet e tjera fitoreve iu gëzuan skuadrat mysafire. Gjilani e mposhti Ferizajn në stadiumin “Ismet Shabani”, me rezultat 2:1. Të parët në epërsi kaluan ferizajasit, me golin e Muhabi Bushit, në minutën e 9-të, por gjilanasit arritën të përmbysin gjithçka me golat e shënuar nga Isa Emin Haziri (30’) dhe Betim Haxhimusa (68’). Ndërkohë, Llapit i ka mjaftuar goli i Berat Hysenit, në minutën e 62-të për të arkëtuar tri pikë të mëdha në Gjilan në duel me Dritën, derisa Liria e ka shpartalluar Trepçën në stadiumin olimpik “Adem Jashari”, duke e mposhtur me shifrat 4:1. Golat për prizrenasit i shënuan Blendi Memaj (52′), Visar Berisha (85′), Liridon Fetahaj (90’+) dhe Durim Gashi (90’+), derisa golin e vetëm për mitrovicasit e shënoi Hasan Hyseni (89’).