Qyteti i Prizrenit ka qenë stacioni i radhës i karvanit “Festa e Futbollit” në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kompanisë Artmotion, i cili promovon fillimin e edicionit të ri 2023/2024 në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Kësaj radhe bashkë me FC Liria, tifozë, klientë dhe personalitete të futbollit në qytetin e lashtë u festua edicioni i ri i futbollit me muzikë, foto dhe bashkëbisedim mes futbollistëve e qytetarëve prizrenas.
Kapiteni i FC Liria, Valon Bytyqi u shpreh i lumtur që për rreth dy orë ishin afër tifozëve dhe qytetarëve prizrenas, duke dhuruar edhe fanella të këtij eventi dhe abonime për Artmotion.

“Sot ishte një ditë e veçantë, pasi nga afër takuam tifozët dhe adhuruesit e klubit tonë falë FFK-së, e cila na ka bërë bashkë në këtë festë. Kjo na inkurajon edhe më shumë që të vazhdojmë të japim më të mirën tonë në fushën e gjelbër. Uroj që ky të jetë një sezon i mirë për të gjithë. Na priftë e mbara”, theksoi Bytyqi.
Të kënaqur dhe falënderues për këtë event u shprehën edhe qytetarët prizrenas, të cilët janë të lumtur që klubi i tyre i zemrës është sërish pjesë e elitës, teksa premtuan mbështetje maksimale gjatë tërë edicionit, ashtu siç e dëshmuan në dy javët e para.

Ndalesa e radhës do të jetë të martën në Fushë Kosovë. Le të mbretërojë spektakli, emocionet, rivaliteti dhe ‘fair-play’ gjatë tërë edicionit në AlbiMall Superligë.