29 gusht, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka vazhduar sot me stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Norvegjisë, që zhvillohet, të premten, në orën 19:00 në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Të përzgjedhurit e Rafet Prekazit edhe sot kanë punuar me zell në stërvitjen e mbajtur në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, të cilën nga afër e kanë ndjekur edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, si dhe drejtori teknik, Michael Nees. Përzgjedhësi Prekazi me ndihmësit Erdogan Celina e Naser Prapashtica kanë punuar në aspektin tekniko-taktik, ku qëllimi kryesor ka qenë shmangia e gabimeve nga ndeshja e kaluar në Norvegji. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, ashtu sikurse edhe gjendja e futbollistëve.
 
Deklaruan pas stërvitjes:
Florent Hasani: Është ndeshja e parë që luajmë në shtëpinë tonë dhe jemi shumë të motivuar për sfidën me Norvegjinë. Jemi duke u përgatitur maksimalisht në mënyrë që ato gabime të vogla që na kanë kushtuar shumë në ndeshjen e parë t’i evitojmë. Pres që të kemi përkrahje të madhe nga tifozët në këtë ndeshje, sepse kemi nevojë për një gjë të tillë dhe shpresoj që edhe rezultati do të jetë i mirë.
 
 
Kushtrim Shabani: Të gjithë në ekip jemi maksimalisht të motivuar dhe po e japim më të mirën. Atmosfera brenda grupit të lojtarëve është shumë e mirë. Kemi disa lojtarë të ri që kanë ardhur por janë ambientuar shumë mirë. Tash e njohim mirë Norvegjinë dhe e dimë ku kemi gabuar, prandaj do të bëjmë çmos që të kemi paraqitje shumë më të mirë. Shpresoj që tifozët në “Adem Jashari” të jenë në numër sa më të madh dhe të na japin motiv shtesë.