Në orët e mbrëmjes në sheshin Skënderbeu në kryeqytet janë ndezur qirinj nga qytetarë të shumtë dhe njerëz të komunitetit sportiv, në shenjë respekti dhe kujtimi të veprimtarisë së presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë sot në orët e mëngjesit. Në mesin e shumë qytetarëve, krahas familjarëve të të ndjerit, zyrtarëve të FFK-së, grupit të tifozëve “Dardanët” ishin të pranishëm edhe zyrtarë të partive politike dhe personalitete të sferave tjera. Lotët e pikëllimit ishin të pranishëm tek të gjithë të pranishmit, pasi humbëm njeriun i cili ishte ikonë e futbollit mbarëkombëtar dhe jo vetëm, por që la gjurmë të pashlyeshme dhe vuri themelet e forta për të ardhmen e ndritur të futbollit të Kosovës.
Ceremonia e varrimit të presidentit Vokrri do të mbahet nesër. Fillimisht në orën 12:00 do të bëhen homazhe në Kuvendin e Kosovës, pastaj në orën 14:00 do të mbahet mbledhje komemorative në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, derisa në orën 17:00 do të bëhet përcjellja e trupit të pajetë të presidentit Vokrri në varrezat e qytetit në Prishtinë.