28 shtator, 2017 – Drita dhe Gjilani kanë barazuar me rezultat 1:1, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 7-të në Vala Superligë. Si zakonisht, edhe këtë herë sfida ndërmjet dy rivalëve të qytetit ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm tek tifozeritë e të dyja skuadrave, “Intelektualët” dhe “Skifterat”, të cilat kishin mbushur stadiumin e qytetit në Gjilan. Kjo ndeshje dhuroi emocione të shumta, si në fushë ashtu edhe në tribuna. Mundësia e parë iu tregua Përparim Livorekës së Dritës në minutën e 14-të, por gjuajtja e tij nga distance shkoi përskaj portës. Në minutën e 20-të, Betim Haxhimusa humbi një rast të pastër për shënim pas harkimit të Thaçit. I njëjti futbollist e shpërdoroi edhe një rast tjetër në minutën e 26-të kur doli i vetëm para portierit Betim Halimi. Ishte pikërisht Haxhimusa, ai, i cili shënoi golin e epërsisë për Gjilanin, në minutën e 66-të kur pas pasimit të Eminhazirit dhe topit të devijuar nga mbrojtësit arriti ta tund rrrjetën për 0:1. Megjithatë, kjo epërsi e Gjilanit nuk zgjati më shumë se 11 minuta, kur Xhevdet Shabani shënoi një supergol nga ndërprerja për ta vulosur fatin e ndeshjes, 1:1. Pas këtij barazimi këto skuadra mbesin me pikë të barabarta edhe në renditje, me nga 11 secila.