2010-09-07
Qëllimi:
Duke pasur parasysh gjendjen momentale të portierëve në Kosovë, numrin e kufizuar të portierëve kosovar me kualitete të larta në klubet evropiane, unë si përzgjedhës i Kosovës, në bashkëpunim me shtabin teknik dhe në koordinim me krerët e FFK-së, dëshirojmë që të gjejmë mënyrën e ndikimit pozitiv për të ngritur dhe garantuar kualitetin e punës me portierë të grupmoshave nëpër klubet e Kosovës, punë e cila direkt do të ndikojë që në një të ardhme të shpejtë nga Kosova të kemi më shumë portierë, të cilët do të kenë kualitete të larta të nivelit ndërkombëtar.
Puna me portierë në grupmosha në klubet kosovare nuk është pjesë primare, ndër të tjera si pasojë e kushteve financiare dhe ne duhet urgjentisht të ndikojmë që të ndihmojmë klubet dhe lojtarët kosovarë drejt ngritjes së kualitetit dhe punës së tyre.
Në kuadër të Përfaqësueses së Kosovës me datat 20-21 nëntor të këtij viti do të fillojë të funksionojë edhe shkolla e portierëve për grupmosha 13 deri 18-vjeç. Të gjitha skuadrat e interesuara kosovare, portierët kosovare do të kenë mundësi të shfaqin interesimin e tyre nëpërmjet faqes zyrtare të FFK-së, tek rubrika: Shkolla e portierëve për grupmosha në kuadër të Përfaqësueses (duke plotësuar formularin).
Ushtrimet do të jenë në përputhje me kërkesat dhe programet që UEFA dhe FIFA parasheh për punën me portierë të grupmoshave 13-18 vjeçe dhe do të jenë të planifikuara në tema javore, mujore dhe planprograme vjetore. Në këtë shkollim trajnerët e Përfaqësueses së Kosovës do të kenë mundësi që të punojnë me portierë nga klubet kosovare, duke u garantuar atyre teknikat themelore të punës dhe krijuar një bazë të qëndrueshme për ardhmërinë e tyre.
Trajnimet në kuadër të shkollës së përfaqësueses do të jenë një mundësi shumë e mirë për portierët kosovarë që të rrisin numrin e ushtrimeve të tyre dhe në veçanti ushtrimeve individuale, ku dihet se janë pjesë shumë e rëndësishme në zhvillimin e lojërave. Ky do të jetë një kompliment shumë i mirë për klubet dhe portierët kosovarë dhe pa dyshim do të ndikojë që me kohë të ngritet kualiteti i portierëve në Kosovë dhe në një të ardhme nga Kosova të nxjerrim portierë me kualitete të nivelit ndërkombëtar.
Trajnimet në kuadër të shkollës do të jenë të koordinuara në fundjavë, të shtunën dhe të dielën dhe do të zgjasin 90 minuta. Vendi dhe informimi më i gjerë do të bëhet me kohë, pasi që të pranojmë numrin e të interesuarve. Trajnimet në fillime do të udhëhiqen nga trajnerët e Përfaqësueses A, Bahri Berisha dhe Ahmet Beselica, të cilët do të ndihmojnë zhvillimin e aktivitetit deri në momentin e organizimit final, ku me kohë do të zgjidhen edhe instruktorët dhe udhëheqësi i shkollës së grupmoshave në kuadër të Përfaqësueses.
Data e fundit e regjistrimit është 1 nëntor 2010
Numri i të interesuarve nuk është i kufizuar
Pjesmarrës mund të jenë portierët nga mosha 13 deri 18-vjeç dhe të dy gjinive.
Pagesa është mujore dhe duhet të bëhet në xhirollogarinë bankare të FFK-së.
Pjesëmarrja kushton 10 euro në muaj dhe pagesa duhet të bëhet më së largu deri më 1 nëntor.
Udhëtimi për ushtrime organizohet në mënyrë individuale nga klubet apo prindërit.
Vendi i ushtrimeve do të jetë në Prishtinë.
Trajnimet fillojnë nga 20 nëntori 2010 në këto data:
20, 21, 27, 28 nëntor 2010.
4, 5, 11, 12, 18, 19, 25, 26 dhjetor 2010
8, 9, 15, 16, 22, 23, 29, 30 janar 2011
5, 6, 12, 13, 19, 20, 26, 27 shkurt 2011
Datat tjera për vitin 2011 do t’i publikojmë në fillim të vitit të ardhshëm.
SHKARKO Formularin
Me respekt
Albert Bunjaki,
Përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës