5 maj, 2018 – Edhe miqësorja e dytë ndërmjet Kombëtareve U15 të Kosovës dhe Shqipërisë është mbyllur baras. Pas duelit të zhvilluar para dy ditësh në Elbasan, edhe ndeshja e sotme që u luajt në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, ka përfunduar me rezultat identik 1:1. Ashtu sikurse në ndeshjen e parë, edhe këtë herë loja ka qenë e baraspeshuar, megjithëse këtë herë të parët në epërsi kaluan futbollistët e Kosovës, me golin e shënuar nga Elion Mahmuti, në minutën e 15-të. Këtë epërsi të përzgjedhurit e Gazmend Halitit e Isa Sadriut, e mbajtën deri në fund të pjesës së parë, kur në minutën e 35-të kuqezinjtë arritën të barazojnë me golin e shënuar nga Alvi Mezani. Në pjesën e dytë të dyja ekipet patën disa mundësi shënimi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit të fitores. Gjithsesi, këto miqësore kanë qenë të rëndësishme për stafin e trajnerëve të dyja kombëtareve, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për sfidat që i presin në të ardhmen.
Shqipëria – Kosova 1:1
Stadiumi “Loro Boriçi”, Shkodër
Gjyqtarë: Suada Tushaj, Gierle Asllanaj, Ediena Kapxhiu
Kartonë të verdhë:
  Preka, Pengu, Toma – Hetemi, Reka
Golashënues:  Mezani (35’) – Mahmuti (15’)
Shqipëria U-15: Marku, Toska, Preka, Mataj, Lulja, Pengu, Mezani, Koduzi, Arapi, Papaj, Sula.
Kosova: Bytyçi, Hetemi, Nishori, Reka, M. Ilhan, Tahiri, Mahmuti, Loshaj, Berisha, Halili, Ibrahimi.