10 mars, 2021 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet përmbyllëse të javës së 24-t në Superligën e Kosovës në futboll. Derbi ndërmjet rivalëve të qytetit ndërmjet Dritës dhe Gjilanit është mbyllur pa fitues, me rezultat 1:1. Të dyja palët shfaqën lojë interesante, derisa atmosfera si zakonisht ishte spektakulare nga të dyja grupet e tifozëve. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e Gjilanit, me golin e Shend Kelmendin, në minutën e 20-të, teksa Drita arriti t’i barazojë shifrat në minutën e 53-të me golin e Ilir Blakqorit. Pa fitues u mbyll edhe ndeshja në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ku Llapi e Drenica barazuan 3:3. Rezultatin e zhbllokoi Bianor Neto, në minutën 3-të, duke e kaluar Llapin në epërsi, por vetëm shtatë minuta më vonë mysafirët barazuan shifrat falë autogolit të Peposhit, me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë. Në kaptinën e dytë Drenica dy herë ishte në epërsi me golat e Kreshnik Ukës (58’, 77’), por llapjanët arritën të barazojnë në të dyja rastet me golat e Ilir Krasniqi (68′) dhe Alef Firmino (90’+2’).