6 korrik, 2022 – Pas Ballkanit, i cili mbrëmë barazoi 1:1 me skuadrën lituaneze, Zhalgiris në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve, sot, është radha e Dritës për t’u paraqitur në arenën evropiane. Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu do të luajë si mysafire në Finlandë ndaj skuadrës Inter Turku në kuadër të rrethit të parë në Ligën e Konferencës. Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Veritas” prej orës 17:00. Në kampin e skuadrës gjilanase janë shprehur optimistë për rezultat pozitiv në këtë takim. Kapiteni i skuadrës Ardian Limani ka thënë se të gjithë futbollistët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin, teksa prurjet e reja sipas tij kanë sjellë energji të re në ekip. Ai po ashtu ka thënë se e kanë pasur kohën e mjaftueshme për ta analizuar kundërshtarin, për të cilin mendon se është skuadër që aplikon futboll modern dhe fizikisht e qëndrueshme. Ndërkaq, trajneri Nuhiu duelin e sotëm e ka vlerësuar si shumë të vështirë, duke pasur parasysh se Inter Turku ka një ekip mjaft cilësor. Megjithatë, ai ka shprehur shpresën se skuadra e tij do të bëjë paraqitje të mirë, pasi tashmë e ka krijuar një përvojë edhe në arenën evropiane.