6 korrik, 2022 – Sot në “Old Trafford” në orën 21:00 do të zhvillohet ndeshja hapëse e Kampionatit evropian 2022 për femra, ndërmjet Anglisë dhe Austrisë. Ky kampionat do të zgjasë deri më 31 korrik, derisa marrin pjesë 16 kombëtaret më të mira të kontinentit evropian. E për të ndjekur nga afër ndeshjen hapëse të këtij Evropiani, me ftesë të UEFA-s, i pranishëm është edhe presidenti Agim Ademi, i cili gjatë ditës ka takuar presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin, por edhe homologë nga federatat e tjera. Ai takoi Debbie Hewitt, presidente e Federatës së Futbollit të Anglisë, Jesper Moller, president i Federatës së Futbollit të Danimarkës, Vadims Ļashenko, president i Federatës së Futbollit të Letonisë si edhe Rainer Koch, anëtar i KE të UEFA-s dhe sekretaren e përgjithshme të DFB-së, Heike Ullrich. Në të gjitha këto takime ai falënderoi bashkëbiseduesit për përkrahje dhe bashkëpunim. Në takimin me të paren e futbollit anglez u diskutua edhe për zhvillimin e ndeshjesve miqësore, derisa gjatë takimit me sekretaren e përgjithshme të Federatës gjermane, Ullrich, u paralajmërua vizita e saj dhe e presidentit të DFB-së, Bernd Neuendorf në Kosovë.