2010-06-10
Përfaqësuesja e Kosovës, e cila që nga e hëna është grumbulluar në Suedi, do të zhvillojë sot një ndeshje miqësore me skuadrën e elitës së futbollit suedez, Halmstad, në orën 19:00.
Në këtë skuadër paraqiten me sukses dy futbollistët kosovarë, Kujtim Bala dhe Anel Raskaj, por ata kësaj radhe do të jenë kundërshtarë të bashkëlojtarëve të tyre, pasi do të vihen në shërbim të përzgjedhësit të Kosovës, Albert Bunjaki. Ky i fundit për këtë ndeshje ka ftuar futbollistë që paraqiten në skuadra
të ndryshme evropiane, por edhe disa nga futbollistë nga kampionati
i Kosovës dhe ai i Shqipërisë. Për Bunjakin ky do të jetë test i mirë në
ndërtimin e Përfaqësueses, derisa për futbollistët që luajnë në Kosovë, kjo do të jetë një mundësi e mirë për t’i shpalosur vlerat e tyre para menaxherëve të ndryshëm, të cilët pritet ta ndjekin këtë ndeshje
nga afër. Halmstadi renditen në pozitën e tetë të elitës së futbollit suedez, me 17 pikë në 14 ndeshje të zhvilluara. Futbollistët e Përfaqësueses gjatë dy ditëve të kaluara kanë zhvilluar disa seanca stërvitore, kurse Bunjaki është shprehur i kënaqur me entuziazmin dhe motivin e futbollistëve në këtë kamp.
Për ndeshjen kundër Halmstadit, përzgjedhësi Albert Bunjaki do ta nis lojën me këtë përbërje:
Etrit Berisha, Shqiperon Skeraj, Liridon Leci, Fisnik Papuçi, Roland Duraku, Behra Maliqi, Anjel Raskaj, Shqipon Bektashi, Labinot Kelmendi, Valdet Rama dhe Arsim Gashi.