13 shtator, 2021 – Sot në orën 17:00 në stadiumin e Flamurtarit do të zhvillohet ndeshja revyale për nder të 30-vjetorit të themelimit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe fillimit të kampionatit të parë të pavarur të futbollit kosovar. Ishte pikërisht 13 shtatori i vitit 1991, kur edhe pse në kushte tejet të vështira dhe nën okupimin e egër nga Serbia, drejtuesit e klubeve, futbollistët dhe punëtorët sportivë të asaj kohe me guxim dhe vendosmëri arritën të fillojnë garat në Kampionatin e parë të futbollit në Republikën e Kosovës. Ndeshja hapëse ishte ajo ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës. Kësisoj, për çdo vit nën organizimin e FFK-së në shenjë përkujtimi për këtë datë të rëndësishme organizohet ndeshja ndërmjet veteranëve të Flamurtarit dhe veteranëve të Prishtinës, ku zakonisht paraqiten lojtarët që ishin pjesë e kësaj date historike, si dhe zyrtarët e asaj ndeshje.