Sot më 6 dhjetor u mbajt mbledhja e radhës së KE të FFK-së nën drejtimin e nënkryetarit Agim Ademi, ku u diskutua për shumë çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës. KE analizoi edhe rrjedhën e garave të stinorit vjeshtor, ku konstatoi se garat në përgjithësi patën rrjedhë normale, me dinamikën e paraparë si dhe në kufijtë sportiv, hiq ndonjë parregullshmëri të pandikueshme në mbarëvajtjen e garave, e ku Komisionet relevante të FFK-së morën të gjitha masat parandaluese dhe ndëshkuese në harmoni me aktet normative të FFK-së. Po ashtu KE analizoi edhe ndeshjet kualifikuese të Përfaqësueses së Kosovës për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, duke falënderuar Shtabin teknik për angazhim si dhe duke përgëzuar futbollistët për përkushtim për të përfaqësuar Kosovën në mënyrë dinjitoze. KE i jep mbështetje të plotë Shtabit teknik dhe futbollistëve për vazhdimin dhe forcimin e punës në ekipin përfaqësueses. Në këtë drejtim u analizua edhe puna e të gjitha ekipeve përfaqësuese duke i inkurajuar Shtabet teknike për të vazhduar me një punë të mirëfilltë dhe profesionale në ndërtimin e ekipeve përfaqësuese. Në këtë mbledhje u mor vendimi që garat në stinorin pranveror të fillojnë më 25 shkurt 2017, ndërsa edicioni ri i garave 2017/2018 të nisë më 19 gusht 2017. KE emëroi Komisionin për shpalljen e Laureatëve për Vitin 2016 në përbërje:
Agim Ademi, kryetar, Vjollcë Krasniqi, anëtare dhe Bakir Burri, anëtar.
Ceremonia e shpalljes së më të mirëve në futbollin e Kosovës do të bëhet gjatë janarit, për çka opinioni do të njoftohet me kohë.
KE shqyrtoi edhe shumë kërkesa dhe ankesa në kuadër të kompetencave të veta.