22 maj 2024 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur sot në takim anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës, Luan Vokshi dhe Ajet Shosholli. Ky takim u mbajt me qëllim të shqyrtimit të ecurisë së kampionatit dhe aktiviteteve të tjera të federatës, në përmbyllje të një sezon të suksesshëm futbollistik.

Gjatë këtij takimi, presidenti Ademi i njoftoi anëtarët e Komisionit mbi progresin dhe mbarëvajtjen e kampionatit në të gjitha ligat, i cili tashmë është afër përfundimit. U konstatua se kampionati ka qenë i rregullt dhe cilësor, duke përmbushur të gjitha standardet e kërkuara. U vlerësua se specifikat dhe sfidat e ndryshme gjatë këtij edicioni janë trajtuar me profesionalizëm dhe gjithçka ka ndodhur brenda normave të përcaktuara.

Përveç kampionatit, në takim u diskutua edhe për organizimet e tjera brenda federatës, si dhe për turnetë dhe eventet e ndryshme të mbështetura nga FFK, e të cilat janë nën kompetencë të monitorimit të Komisionit Mbikëqyrës.

Në përfundim të takimit, pati dakordim të plotë se kampionati dhe organizimet e tjera kanë përmbushur pritshmëritë dhe objektivat e vendosura, duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe përparimin e futbollit në vendin tonë.