2 shkurt, 2024 – Zyrtari për integritet të garave në FFK, Gazmend Bojniku, ka mbajtur seminarin e radhës në kuadër të ciklit të ri kundër dukurive negative në sport, përkatësisht parandalimit të trukimit të ndeshjeve në futboll. Sot në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri” është mbajtur takimi me vëzhguesit e gjyqtarëve, të cilët janë informuar mbi atë se si duhet të veprojnë në rast se përballen me raste të tilla që dëmtojnë besueshmërinë dhe vlerat e futbollit, si dhe me kodin e mirësjelljes së FFK-së, mekanizmat e raportimit dhe bashkëpunimin që FFK-ja ka me federatat e tjera për të koordinuar përpjekjet në luftën kundër trukimit të ndeshjeve. Të gjithë pjesëmarrësit janë pajisur me fletushkën e re, e cila është hartuar bashkërisht me zyrtarët profesional të UEFA-së, e që përmban informacione koncize, duke përçuar porosi të qarta në lidhje me parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në sport.