Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kanë pritur sot delegacionin e Federatës Shqiptare të Futbollit të Gjermanisë, në përbërje Ruzhdi Statovci, kryetar, Myftar Dragidella, menaxher dhe Kujtim Shala, futbollist i gjeneratës së artë të Prishtinës. Qëllimi i ardhjes së delegacionit të FSHFGJ-së është zhvillimi i ndeshjes së Superkupës Kosovë-Diasporë, që do të zhvillohet, të enjten, në orën 14:00, në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë, ndërmjet skuadrës fituese të Kupës së Kosovës, Prishtinës dhe skuadrës fituese të Kupës së Diasporës, Kosovës nga Munihu. Në konferencën për media në prag të kësaj ndeshjeje, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu dhe menaxheri i FSHFGJ-së, Myftar Dragidella, janë shprehur të zhgënjyer me mosinteresimin e medieve për ta ndjekur ardhjen e një skuadre nga Diaspora. Që të dy kanë deklaruar se njerëzit e Diasporës, në këtë rast krerët e FSHFGJ-së dhe klubi Kosova nga Munihu e kanë merituar një respekt më të madh nga mediat, duke pasur parasysh kontributin e tyre të vazhdueshëm për futbollin kosovar.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka bërë të ditur se përveç ndeshjes ndërmjet Prishtinës dhe Kosovës nga Munihu, do të zhvillohet edhe një takim revyal ndërmjet veteranëve të Prishtinës dhe veteranëve të Diasporës, që do të fillojë në orën 12:00, ku do të paraqiten shumë emra të njohur të futbollit kosovar të fillim viteve të 90-ta si Ahmet Beselica, Isa Sadriu, Rafet Prekazi, Muharrem Sahiti, Adil Vokrri, Suad e Sunaj Keçi, Eroll Salihu, Abdyl Bellopoja etj…
Në anën tjetër, Myftar Dragidella, ka bërë të ditur se në Federatën Shqiptare të Futbollit të Gjermanisë janë të regjistruara 31 klube, por jo të gjitha marrin pjesë në garat e Kupës së Diasporës për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Ai ka falënderuar FFK-në për bashkëpunim, derisa ka rikujtuar se ndeshja ndërmjet ftuesit të Kupës së Kosovës dhe fituesit të Kupës së Diasporës organizohet që nga viti 2002. Vitin e kaluar një ndeshje e tillë nuk është organizuar, pasi Kosova nga Frankfurti në mungesë të mjeteve financiare, nuk ka arritur të vijë në Kosovë. Dragidella ka shprehur shpresën se ndeshja e nesërme ndërmjet Prishtinës dhe Kosovës nga Munihu do të jetë interesante, pasi sipas tij skuadra nga Munihu është njëra nga klubet më të organizuara shqiptare. Salihu dhe Dragidella kanë ftuar dashamirët e futbollit që të enjten në mesditë të vërshojnë tribunat e Stadiumit të Qytetit në numër sa më të madh për t’i nderuar yjet e dikurshme të futbollit si dhe djemtë e Diasporës, duke pasur parasysh edhe faktin që hyrja do të jetë falas.