Prishtinë, 25 shtator 2017
E nderuara familje e Maliq Lushakut!
Me pikëllim e dhembje e morëm lajmin për vdekjen e Maliq Lushakut, anëtar shumëvjeçar i KE, ndaj me lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve e futbolldashësve të Kosovës të Ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta me rastin e vdekjes së njeriut që i dha shumë futbollit të Kosovës.
Kontributi i Maliq Lushakut, ishte i madh i çmueshëm dhe shumëdimensional. Ishte shtyllë e fortë e pavarësimit të sportit e në veçanti të futbollit të Kosovës dhe nuk u ndalë kurrë deri në frymën e tij të fundit. Ndaj të gjithë ne do ta kujtojmë përherë figurën dhe veprën e tij dhe për brezat që vijnë do të jetë shembull i njeriut të dashur, punëtorit të vyeshëm, të palodhshëm dhe të papërkulshëm nëpër sfida.
Në këto momente të dhembjes tuaj jemi pranë jush që të përballoni më lehtë dhembjen për më të dashurin tuaj.
Me respekt
Fadil Vokrri, president i FFK-së