Prishtinë, 19 prill, 2020
E nderuara Familje e Bahri Shemsedinit!
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit ferizajas, Bahri Shemsedini, në moshën 83-vjeçe, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella.
Kontributi i Bahriut në futbollin e Kosovës ishte i jashtëzakonshëm dhe shumë dimensional, si në kohën kur ishte futbollist e gjithashtu edhe si trajner, veçmas në kohën e mëvetësimit. Bahriu ishte sportist me virtyte të larta dhe që asnjëherë nuk ngurroi që të japë këshilla për brezat e rinj të futbollit!
Gjatë tërë kohës sa shërbeu në futboll u dallua si punëtor i madh, teksa gëzoi respekt jo vetëm në Ferizaj por kudo, andaj vepra dhe kontributi i tij në futboll do të mbesin gjithmonë në kujtesën e dashamirëve të këtij sporti.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Me respekt
Agim Ademi, president i FFK-së