Prishtinë, 30 dhjetor, 2023

E nderuar Familje Sylejmani!

I nderuar president i FFM-së, Muamed Sejdini,

Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Enver Sylejmani, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Enveri ka lënë një trashigimi të pasur të angazhimit dhe përkushtimit në futbollin shqiptar, teksa me punën e tij të palodhur ka ndikuar në rritjen e klubeve shqiptare dhe futbollit në tërësi në Maqedoninë e Veriut.

Enveri, si ish zv/Sekretar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe patriot i njohur, ka ndihmuar në bashkimin e njerëzve përmes dashurisë së tij për futbollin.

Për ne, ai mbetet një figurë e rëndësishme në zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke shërbyer me pasion në kohën e pranimit në UEFA e FIFA.

Përjetuam bashkë me Enverin çdo moment të rëndësishëm të FFK-së dhe kemi ndarë gëzimet dhe sfidat në rrugën drejt arritjeve të reja.

Enveri ishte një figurë e shquar dhe do të kujtohet gjithmonë për devotshmërinë e tij ndaj sportit dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm me të gjitha trojet shqiptare.

Dëshirojmë të përcjellim ngushëllimet tona te familja Sylejmani nga i gjithë komuniteti i futbollit në Kosovë. Ne ndajmë dhimbjen me Ju dhe shprehim solidaritetin tonë në këtë moment të vështirë.

Qoftë i përhershëm kujtimi për Enverin!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së