Prishtinë, 13 maj, 2023
E nderuar Familje Podvorica!
Të nderuar drejtues të Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani!

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, ish-futbollistit të njohur llapjan, Fehmi Podvorica, andaj më lejoni që në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Fehmiu do të mbahet mend për kontributin e tij në futbollin e Kosovës në fanellën e Llapit e të disa klubeve të tjera, dhe si pjesë e gjeneratës së sakrificës, e cila i rezistoi okupatorit serb me guxim dhe pasion të madh për futbollin, ndonëse në kushte tejet të vështira për zhvillimin e aktivitetit sportiv.

Pas migrimit në Gjermani, Fehmiu ka luajtur për disa vite në FC Kosova München dhe më pas në KF “Atdheu” në Augsburg, ku ka shërbyer edhe si trajner dhe më pas si kryetar i klubit.

Fehmiu ka qenë një atdhetar i madh, një njeri i urtë dhe një punëtor i palodhshëm. Ai ka mbështetur gjithmonë të rinjtë shqiptarë në Diasporë, duke i inkurajuar ata të luajnë futboll dhe të dëshmojnë vlerat e tyre sportive.

Po ashtu, ai ka qenë edhe pjesë e ekipit të veteranëve të Federatës së Futbollit Shqiptar të Gjermanisë, me të cilën ka marrë pjesë në shumë aktivitete në Kosovë.

Kontributi i tij për Kosovën ishte shumë dimensional, andaj kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i freskët.

Shpirti i tij pushoftë në parajsë!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së