Prishtinë, 7 dhjetor, 2022
E nderuar Familje Hoda!
Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Galip Hoda, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Galip Hoda u shqua me kontributin e tij në KF “Liria” që nga vitet e 70-ta, por edhe në përgjithësi për futbollin e Kosovës, e veçmas në periudhën më të vështirë, atë të viteve të 90-ta.
Galipi ishte intelektual, patriot dhe humanist i madh. Ai ishte delegat i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Komisionit të Kushtetutës së vitit 1974, e cila në masë të madhe e përmirësoi statusin e popullit shqiptar në ish-shtetin federativ, teksa në vitet e 90-ta u dallua si veprimtar i paepur i çështjes kombëtare.
Ai gëzonte respekt të madh në qytetin e Prizrenit dhe jo vetëm, falë aktivitetit të tij në shumë sfera, e sidomos në profesionin e tij si inxhinier i hidroteknikës, por kudo që shkonte ishte edhe afër futbollit.
Galipin do ta kujtojmë ashtu siç ishte, personalitet me vlera të larta intelektuale e humane dhe si njeri i palodhshëm në aktivitetin e tij.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës dhe pushoftë në paqe!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së