E nderuara Familje e Avni Shabanit!

E nderuar redaksi e sportit në Radio Kosova!

Me pikëllim e dhembje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, gazetarit të shquar sportiv, Avni Shabani, andaj me lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta.

Avniu iku nga kjo botë vetëm dy muaj pas pensionimit, duke lënë pas vetes gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë sportive dhe jo vetëm.

Ai si pjesë e redaksisë sportive në Radio Kosovë realizoi qindra kronika, intervista dhe komentime të ngjarjeve sportive, teksa për kontributin e tij në këtë fushë u nderua edhe me çmimin “Ali Shala”.

Avniu u shqua për humanitetin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij ndaj sportistëve dhe kolegëve të tij të rinj, derisa kontributi i tij ishte i madh edhe para luftës si gazetar i të përditshmes “Rilindja”, por më vonë edhe si drejtor për sport në komunën e Ferizajt.

Avniu ishte i qetë e bujar dhe si të tillë do ta kujtojmë përherë.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së