Me pikëllim të madh në këtë ditë të bekuar të Fitër Bajramit e mora lajmin për ndarjen nga jeta të doajenit të këngës popullore, Ismet Bogujevci.

Një personalitet me vlera të mëdha, i dashur e i respektuar nga të gjithë, por veçmas nga komuniteti artistik dhe ai sportiv.

Ismeti ishte artist i kompletuar, këngëtar me zë unik por edhe njeri me virtyte të larta. Ai ishte gjithmonë afër sportit, e sidomos futbollit. Miqësia e tij me futbollistët e gjeneratës së artë të Prishtinës ishte e vazhdueshme e gjithëpërfshirëse. Me zërin e tij kumbues dhe këngët e tij përplot emocion i motivonte futbollistët e asaj kohe të KF Prishtina, teksa dashuria për futbollin nuk iu venit asnjëherë.

Edhe në kohën e fundit pas pranimit në UEFA e FIFA, Ismet Bogujevci ishte gjithmonë afër futbollit dhe krenohej me çdo sukses të Dardanëve tanë.

Shkuarja e tij në përjetësi është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për tërë komunitetin artistik dhe për sportistët, por veprat e tij ndër vite e bëjnë atë të pavdekshëm.

Ismeti një jetë të tërë ia kushtoi këngës së mirëfilltë popullore dhe u këndoi shumë çifteve në Kosovë në ditën e tyre më të veçantë, teksa e këndonte në mënyrë unikale këngën “Martesa jonë është kurorëzim i dashurisë”.

Sot, ai u largua nga kjo botë, por emri i tij do të mbetet përgjithmonë pjesë e kulturës dhe artit të Kosovës.

Në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Bogujevci, të gjithë atyre që e njohën, e posaçërisht komunitetit artistik dhe të gjithë sportistëve që e kishin mik të ngushtë.

Shpirti yt u prehtë në paqe!

Me pikëllim e respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së