15 shtator, 2022 – Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani, ka treguar një tjetër paraqitje mbresëlënëse në Ligën e Konferencës. Portokallezinjtë, të enjten mbrëma, në Pragë, kanë pësuar humbje nga kampioni i shumëfishtë i Çekisë, Slavia, me rezultat 3:2. Edhe në këtë mbrëmje Ballkani dhuroi emocione të mëdha, ngase dy herë ishte në epërsi ndaj skuadrës çeke, por nuk arriti ta menaxhojë atë. Shifrat i zhbllokoi Ermal Krasniqi, nëminutën e 23-të pas një aksioni model të suharekasve dhe asistimit të Armend Thaqit. Megjithatë, çekët u rikthyen shpejtë, kur pas dy minutash barazuan rezultatin me golin e David Jurasek, falë edhe reagimit jo të mirë të portierit  Stivi Frashëri. Ballkani arriti të kalojë sërish në epërsi me golin e Meriton Korenicës, në minutën e 29-të pas asistimit të Albion Rrahmanit, por reagimi i vendasve sërish ishte i shpejtë, kur Peter Olayinka realizoi gol të bukur për 2:2 në minutën e 34-t, teksa rezultatin e përmbysi Lukash Maspoust, me golin e shënuar në minutën e 41-të. Në pjesën e dytë nuk pati gola, ku Slavia e menaxhoi epërsinë e një goli, derisa Ballkani për asnjë çast nuk u tregua skuadër inferiore, duke konfirmuar edhe një herë rritjen e jashtëzakonshme të futbollit kosovar. Ndeshjen e ardhshme Ballkani e luan ndaj Sivassporit, sërish si mysafir, më 6 tetor.