Skuadra e Trepçës nuk ka arritur më shumë se një barazim në duel me skuadrën kampione në fuqi, Llamkos Kosovën. Kjo ndeshje u mbyll me shifrat 1:1 dhe ishte e fundit e javës së 9-të në Raiffeisen Superligë, derisa u zhvillua në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, pa praninë e shikuesve. Në këtë takim të dyja skuadrat patën shumë raste shënimi, por nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë më shumë se nga një herë. Të parët në epërsi kaluan mitrovicasit, me golin e shënuar nga Mërgim Pevçeli, në minutën e 25-të. Megjithatë në pjesën e dytë vushtrriasit luajtën më mirë dhe arritën që në minutën e 61-të të barazojnë shifrat, me golin e realizuar nga Bajram Zuçaku. Pas këtij takimi, Trepça ka tetë pikë, teksa Llamkosi ka shkuar në kuotën e 13 pikëve.