5 maj, 2017 – Trepça ’89 ka shënuar fitore e radhës në Vala Superligë. Në ndeshjen hapëse të javës së 29-të që u zhvillua sot në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, Trepça’89 e ka mposhtur Gjilanin, me rezultat bindës 5:2, duke bërë një tjetër hap drejt kurorëzimit me titullin e kampionit. Mitrovicasit kaluan në epërsi qysh në minutën e parë me golin e Florent Hasanit që shënoi me kokë. I njëjti futbollist shënoi edhe në minutën e 11-të për 2:0. Gjilani e ngushtoi epërsinë e vendasve në minutën e 36-të me golin e Isa Eminhazirit nga penalltia. Para se të shkohej në pushim Trepça’89 shënoi edhe golin e tretë nëpërmjet Lapidar Lladrovcit, në minutën e 44-t. Epërsinë në 4:1 vendasit e shtuan në minutën e 51-të, kur Leutrim Bekteshi shënoi autogol, derisa shifrat në 5:1 i çoi Përparim Islami, në minutën e 72-të. Ndërkohë, pesë minuta më vonë gjilanasit shënuan golin e dytë nëpërmjet Egzon Shabanit. Të dyja skuadrat ndeshjen e mbyllën me nga një lojtar më pak në fushë, pasi në minutën e 58-të u përjashtua Ilir Izmaku, kurse në minutën e 75-të u përjashtua edhe Isa Eminhaziri.