19 qershor, 2017 – Skuadra kampione e Kosovës, Trepça’89 dhe ajo nënkampione, Prishtina, kanë mësuar sot kundërshtarët e tyre në debutimin historik në garat evropiane, përkatësisht në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Shorti i hedhur sot në mesditë në selinë e UEFA-s në Nion, e ka vendosur Trepçën’89 përballë skuadrës kampione të Ishujve Faroe, Vikingur, në rrethin e parë paraeliminator të Ligës së Kampionëve. Ndeshjen e parë mitrovicasit do ta luajnë si mysafirë, më 27 ose 28 qershor, derisa atë të kthimit më 4 ose 5 korrik në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Në rast arrin ta kalojë këtë kundërshtar, atëherë në rrethin e dytë kampioni i Kosovës do të ballafaqohet me skuadrën islandeze, Hafnarfjordur.
Ndërkohë, Prishtina në rrethin e parë të Ligës së Evropës do të ballafaqohet me skuadrën IFK Norrkoping, 13 herë kampione e Suedisë dhe e cila aktualisht renditet e dyta në kampionatin suedez, pas 13 javëve të zhvilluara me pikë të barabarta me Malmon, që zë pozitën e parë. Ndeshjen e parë Prishtina do ta zhvillojë si mysafire më 29 qershor, derisa atë të kthimit më 6 korrik në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.