18 gusht, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e tjera të javës së parë në IPKO Superligë. Edhe ndeshjet e sotme sollën shikueshmëri të kënaqshme, emocione, gola dhe befasi. Skuadra e ngjitur në elitë, Dukagjini e ka mbyllur baras 0:0 ndeshjen kundër Ballkanit, e cila u zhvillua në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Këtë ndeshje nga afër e ka ndjekur edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në shoqëri të kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj dhe kryetarit të KK të Klinës, Zenun Elezaj. Me këtë rast presidenti Ademi ka uruar klubin e Dukagjinit për sukses në elitë, si dhe ka parë nga afër punimet që janë bërë në renovimin e stadiumit, e ku ende është duke vazhduar puna në përmirësim të infrastrukturës së këtij objekti.
Befasinë e javës e përgatiti Ferizaj, që arriti të arkëtojë tri pikë si mysafir në Gjilan, duke e mposhtur Dritën, me rezultat 1:0. Ndonëse futbollistët e Dritës ishin gjatë gjithë kohës më të mirë dhe bënë presion të vazhdueshëm për të gjetur rrugën e golit nuk ia arritën këtij qëllimi. Në anën tjetër, ferizajasit në minutat shtesë të ndeshjes, kur edhe kishin epërsi numerike në fushë pas përjashtimit të brazilianit Gilberto, arritën që nëpërmjet një kundërsulmi të shënojnë golin e fitores me autor Filonit Shaqirin.
Gola të shumtë pati në stadiumin ‘Riza Lushta’ ku Trepça’89 bëri një paraqitje të shkëlqyeshme kundër Gjilanit, duke e mposhtur 4:1. Dy golat e parë për ‘minatorët’ i shënoi Ardian Muja (22’ e 44’), derisa nga një gol nga penalltia më pas e realizuan edhe Arb Manaj (60’) dhe Leart Emini (65’). Ndërkaq, golin e ngushëllimit për gjilanasit e realizoi Tomislav Busiç, po ashtu nga penalltia, në minutën e 74-t.