Skuadra e Trepçës’89 ka shënuar fitore në ndeshjen e fundit të javës së 10-të në Raiffeisen Superligë, duke e mposhtur Istogun, në stadiumin “Riza Lushta”, me rezultat 4:3. “Minatorët” kaluan në epërsi qysh në minutën e 3-të kur gjuajtjen e Musës e devijoi me kokë mbrojtësi i Istogut, Dervishaj. Shifrat u barazuan në minutën e 21-të nëpërmjet Gashit nga pika e bardhë, pasi paraprakisht Turku e rrëzoi brenda zonës Dervishajn, duke shkaktuar penallti. Në fillim të pjesës së dytë, Trepça ’89 përmes Baliqit e Idrizit shënoi dy gola të shpejtë për epërsinë 3:1. Për vendasit nuk vonoi as goli i katërt, që u shënua në minutën e 62-të nga Feka. Kur pritej humbje e thellë e udhëtuesve, ata u riorganizuan dhe arritën që të shënojnë dy gola nëpërmjet Bajramajt e Dervishaj, duke e bërë fundin e ndeshjes tejet dramatik. Megjithatë, mitrovicasit arritën të mbrohen mirë në minutat e fundit dhe të arkëtojnë tri pikë të reja, të cilat e mbajnë larg liderit vetëm 1 pikë.