18 gusht, 2017 – Trepça’89 e ka nisur me fitore kampionatin e ri në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Në ndeshjen hapëse të edicionit të ri, që u zhvillua, të premten, në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, skuadra kampione në fuqi e ka mposhtur skuadrën e rikthyer në elitë, Flamurtarin, me rezultat 3:1. Golin e parë në kampionatin e ri e shënoi futbollisti i ri i Trepçës’89, Muharrem Jashari, i cili e dërgoi topin në rrjetën e prishtinasve në minutën e 10-të. Në minutën e 30-të mitrovicasit ishin afër golit të dytë, por gjuajtja e Shpëtim Idrizit nga distanca qëlloi shtyllën. Epërsinë në 2:0 e shtoi Oto John, në minutën e 50-të, pas asistimit të Jasharit. Flamurtari arriti ta rihapë ndeshjen në minutën e 63-të, kur Ardit Jaupaj shënoi nga afërsia për 2:1. Megjithatë, dilemat e fituesit i hoqi Florent Hasani, me një gol të shkëlqyeshëm në minutën e 90-të. Paraprakisht Oto John pati një mundësi të pastër shënimi, por gjuajti dobët. Ndërkohë, Flamurtari e mbylli ndeshjen me një futbollist më pak, ngase në minutën e fundit me karton të kuq për një ndërhyrje në futbollistin rival u ndëshkua Ardian Çavolli.