3 mars, 2017 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 19-të në Vala Superligë. Skuadra kryesuese në renditje, Trepça’89 ka shënuar fitore të lehtë si mysafire në duel me skuadrën e fundit në renditje, Hajvalinë, me rezultat 4:0.  Vendasit rezistuan deri në minutën e 52-të, kur Oto John shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes dhe shënoi për 1:0. I njëjti futbollist shënoi edhe golin e dytë për Trepçën’89 në minutën e 63-të, derisa dy golat e tjerë i shënuan Florent Hasani (71’) dhe Hasan Hyseni (87’). Ndërkohë, fitore me rezultat edhe më bindës ka realizuar ndjekësja më e afërt e skuadrës mitrovicase, Prishtina, që në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, e ka mposhtur Drenicën, me rezultat 6:0.  Golat për Prishtinën i realizuan Khalid (38’, 63’), Lorik Boshnjaku (45’+), Gentrit Begolli (71’), Mërgim Neziri (80’) dhe Shend Kelmendi (89’). Do theksuar se Drenica që nga minuta e 67-të mbeti me 10 lojtarë në fushë, pasi Kreshnik Lushtaku u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë. Kësisoj, në prag të përballjes së javës së ardhshme ndërmjet Trepçës’89 dhe Prishtinës, që zhvillohet të martën në stadiumin “Riza Lushta”, distanca ndërmjet këtyre dy skuadrave mbetet në 6 pikë.