Trepça ’89 dhe Feronikeli janë kualifikuar në finale të Digitalb Kupës së Kosovës. Në gjysmëfinale ato ia dolën t’i eliminojnë Besën, përkatësisht Drenicën.
Pejanët e kishin fituar ndeshjen e parë me rezultat 3:2 ndaj mitrovicasve. Por, ekipi i Afrim Tovërlanit e fitoi duelin kthyes me rezultat 2:1, që i mjaftoi për t’i mbajtur gjallë shpresat që stinorin të mos e përfundojë pa trofe. Hero i mitrovicasve ishte Emin Baliqi, i cili me një gol që e shënoi në minutën e 91-të, disfatën e shndërroi në fitore.
Në fakt, vendasit kaluan në epërsi prej 1:0 në minutën e 19-të, kur Blerand Kurtishaj shënoi nga penalltia. Mirëpo, në minutën e 55-të pejanët përmes Fatih Karahodës i barazuan shifrat në 1:1, duke ecur kështu drejt finales, por në minutën e 91-të, Emin Baliqi ia siguroi biletën për finale mitrovicasve.
Ndërsa, Feronikeli arriti ta mposhtë Drenicën në Skenderaj, me rezultat 1:0. Ishte Qëndrim Sejdiu i Drenicës ai i cili e çoi Feronikelin në finale, pasi në minutën e 6-të shënoi autogol. Përkundër përpjekjeve deri në fund të ndeshjes, kuqezinjtë nuk kanë arritur ta përmbysin disavantazhin, me ç’rast ekipi i Gani Sejdiut arriti në finale, ku do të tentojë ta mbrojë trofeun që e fitoi edhe në edicionin e kaluar.