27 qershor, 2017 – Skuadra kampione e Kosovës, Trepça’89 ka realizuar debutimin e saj historik në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e parë të zhvilluar si mysafire në Ishujt Faroe, Trepça’89 ka pësuar humbje në duel me Vikingurin, me rezultat të ngushtë, 2:1, duke mbetur me shpresa të mëdha për kualifikim në ndeshjen e kthimit. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 17-të, me golin e shënuar nga Vatnhamar. Trepça’89 arriti të barazojë shifrat në minutën e 39-të, me golin e shënuar nga Fiton Hajdari, i cili do të hyjë në histori të futbollit kosovar, si lojtari i parë që ka realizuar gol në garën më prestigjioze të futbollit evropian. Edhe në pjesën e dytë loja ishte e baraspeshuar, por vendasit arritën të gjejnë golin e epërsisë në minutën e 73-të, kur Lawal realizoi nga afërsia. Në minutat shtesë Trepça’89 ishte shumë afër të barazonte sërish shifrat, por shtylla ia mohoi golin. Tashmë Trepça’89 shpreson në përmbysje të rezultatit në ndeshjen e kthimit që do ta zhvillojë para tifozëve të vet në stadiumin “Adem Jashari” pas një jave.