10 shtator, 2022 – Trepça ’89 ka shënuar fitoren e parë pas rikthimit në elitë. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Idrizi në të gjitha ndeshjet e deritashme kishte treguar lojëra të mira, por nuk kishte arritur t’i marrë pikët e plota në asnjërën prej tyre. Megjithatë, të shtunën, në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, në kuadër të javës së 6-të “minatorët” arritën të shënojnë fitore në duel me Drenicën, me rezultat bindës 5:2. Protagonisti kryesor i skuadrës mitrovicase ishte sulmuesi Christian Mba, i cili përveç se shënoi dy gola (28’, 90’), asistoi edhe në golat e Bleon Sekiraqës (24’) dhe Erdin Dushit (52’), teksa në listën e realizatorëve në fund u regjistrua edhe Armend Gashi (90’+). Në anën tjetër të dy golat për Drenicën i shënoi Bintsouka Koxy (30’ e 50’). Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Malisheva dhe Dukagjini kanë barazuar me shifrat 1:1, në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë. Të parët shënuan vendasit me golin e Alban Shillovës, në minutën e 24-t, por një pikë skuadrës nga Klina ia siguroi Blerind Morina, me golin e realizuar në minutën e 77-të.