istogu-trepca89Trepça’89 iu ka gëzuar fitores në javën e 12-të në Raiffeisen Superligë, pasi në ndeshjen e zhvilluar, të shtunën, në stadiumin “Shahin Haxhiislami”, në Pejë, e ka mposhtur Istogun, me rezultat 2:0. Kjo ishte fitorja e gjashtë e Trepçës’89 në këtë edicion, por e para pas katër barazimeve e një humbjeje. Pjesa e parë ishte e baraspeshuar, ku raste më të mira për të shënuar paten futbollistët e Istogut. Ndërkaq, pjesën e dytë Trepça’89 e nisi furishëm, duke shënuar dy gola brenda dy minutash. Fillimisht shënoi Fiton Hajdari, në minutën e 47-të pas asistimit të Pevqelit, kurse ende pa kaluar dy minuta epërsinë e shtoi nigeriani, Adeleke Akinyemi, për të cilin kjo ishte ndeshja e parë në fanellën e Trepçës’89.
Ndërkohë, Feronikeli ka bërë kthesë në rezultat në sfidën kundër Prishtinës, që u luajt në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 16-të, me një gol të shkëlqyeshëm të Gentrit Begollit nga gjuajtja e lirë. Megjithatë, në pjesën e dytë skuadra kampione në fuqi e tregoi forcën e saj. Fillimisht në minutën e 52-të shifrat i barazoi i rikthyeri nga lëndimi, Behar Maliqi. I njëjti futbollist realizoi edhe golin e dytë për skuadrën nga Drenasi, në minutën e 87-të, pasi u shërbye nga Qemail Elshani. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar dhe fitoren e tetë të Feronikelit në këtë edicion e vulosi Mendurim Olluri, me golin e shënuar në minutën tretë shtesë. Pas kësaj fitoreje Feronikeli ruan pozitën e parë, me 25 pikë, derisa Prishtina mbetet në pozitën e parafundit, me vetëm 11 pikë. Fitore të rëndësishme për ta ruajtur hapin me skuadrat e kreut të renditjes realizoi Hajvalia, e cila e mposhti Besën, me shifrat 2:0. Golat për Hajvalinë i shënuan Granit Arifaj (58’) dhe Fuad Karabegu (70’). Me të njëjtin rezultat fitore realizoi edhe Drenica në shtëpi kundër Lirisë. Golat për kuqezinjtë e Skenderajt i shënuan Arbios Thaçi (68’) dhe Hysen Tahiri (77’). Ndërkohë, Llapi iu gëzua sërish fitores me një gol të vonshëm. Këtë herë llapjanët e mposhtën Vushtrrinë, me rezultat 1:0, me golin e shënuar nga Alban Mavriqi, në minutën e 89-të.
Raiffeisen Superliga Java e 12-të

E shtunë 31.10.2015
Istogu – Trepça 89                            0-2
Drenica – Liria                                  2-0
Feronikeli – Prishtina                      3-1
Llapi – Vushtrria                               1-0
Hajvalia –  Besa                                 2-0
Liga e Parë Java e 11-të
E shtunë 31.10.2015
Vitia – Kosova (P)                             0-0
Rahoveci -Ramiz Sadiku                 1-1
Superliga Juniorët: Java e 10-të
E shtunë 31.10.2015
Vëllaznimi – Vushtrria                         1-1
Rilindja – Drenica                               2-4
Liga e Parë Juniorët: Java e 6-të
E shtunë 31.10.2015
Gjilani – Ballkani            (nuk u zhvillua )
Raiffeisenliga e Femrave: Java e 8-të
E shtunë 31.10.2015
Ulpiana – Llapi                          0-6
Dukagjini – Vizioni                   3-1