4 maj, 2018 – Sot në selinë e FFK-së është mbajtur një takim me klubet e regjionit të Prishtinës, ku të pranishëm kanë qenë nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kryetari i Lidhjes Rajonale të Prishtinës, Ismajl Ajeti dhe sekretari Bajram Zeqiri. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi me përfaqësuesit e klubeve rreth idesë që nga edicioni 2019/2020 të bëhet zvogëlimi i Superligës në 10 klube.
Fillimisht nënkryetari Agim Ademi, ka thënë se në programin e presidentit Fadil Vokrri si prioritet kryesor fillimisht ka qenë ndërkombëtarizimi dhe pasi ai është përmbushur si prioritet tjetër i FFK-së ka qenë përmirësimi i infrastrukturës. “Tani kur edhe në këtë segment kemi arritur përparime, pasi në dy stadiume janë bërë investime të mëdha dhe do të jenë të gatshme për ndeshje ndërkombëtare, si dhe shumë shpejt do të kemi investim në 12 fusha me bari sintentik për klubet e Superligës, atëherë është radha që të fokusohemi në zhvillimin e futbollit. Pjesë e këtij programi do të jetëorganizimi i ligave dhe për këtë arsye kemi hapur debatin me të gjithë faktorët relevantë për të gjetur mënyrën më të mirë të ngritjes së cilësisë së futbollit tonë. Pra, ne si FFK duam që në këtë debat t’i përfshijmë të gjithë dhe në fund të dalim me projektin përfundimtar. Sot kemi filluar me Regjionin e Prishtinës, kurse në ditëve në vijim do të debatojmë edhe me klubet nga regjionet e tjera”, ka theksuar nënkryetari Ademi.
Sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, ka thënë se tashmë ka ardhur koha që ta çojmë futbollin tonë një shkallë më lartë dhe të bëhet ndarja e futbollit profesionist prej atij amator. “Ne tani jemi të obliguar që dalndagalë të fillojmë të bëjmë një riorganizim të ligave dhe të sistemit të garave, pasi kjo është mënyra e duhur për të shkuar përpara dhe për të qenë së paku në nivel me rajonin, prandaj duam ta marrim edhe mendimin tuaj dhe bashkërisht me Këshillin Profesional dhe Komitetin Ekzekutiv të marrim vendimin e merituar”, ka thënë Salihu.
Ndërkohë, përfaqësuesit e klubeve të Superligës nga LRFP, që ishin pjesëmarrës në këtë takim u shprehën pro idesë që të bëhet zvogëlimi i Superligës në 10 klube, pasi sipas tyre kjo jep mundësi për ngritje të cilësisë, por njëkohësisht kërkuan që Këshilli Profesional të përgatit një projekt rreth asaj se si mendohet të funksionojnë ligat dhe sistemi i garave dhe më pas të jepen propozime konkrete edhe nga klubet. Po ashtu u kërkua edhe ashpërsimi i kritereve për licencim për gara, derisa u diskutua edhe për tema tjera sidomos për kategoritë e reja dhe për mundësinë që në të ardhmen klubeve t’u mundësohet garimi edhe me ekipet e dyta në nivelin e tretë të garave.