23 nëntor, 2017 – Në ambientet e hotel International Prishtina u mbajt konferenca njëditore mjekësore dhe Anti- doping në organizim të FFK-së në bashkëpunim edhe me UEFA–n nën përkujdesje të ekipit mjekësor të Kombëtares A të Kosovës. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti mjeku i ekipit kombëtar dr. Murat Berisha. Ndërkaq pjesëmarrësit, ligjëruesit John Maclean, Richard Grisalde, zv. ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë z. Granit Abdullahu i ka përshëndetur dhe ka shpallur  të hapur punimet presidenti i FFK-së Fadil Vokrri, i cili me këtë rast theksoi rolin dhe domosdoshmërinë e mjekësisë sportive në futboll. Prandaj, FFK-ja është e vendosur në mënyrë të veçantë të kujdeset  dhe t’i jep prioritet jo vetëm të ekipet Kombëtare , por edhe nëpër të gjitha klubet. Ndaj edhe kjo konferencë është në dobi të kësaj. Në fjalën e tij përshëndetëse para të pranishmeve zv. ministri i Ministrisë së shëndetësisë z. Granit Abdullahu tha se MSh do të jetë gjithmonë e gatshme të ndihmojë FFK-në me këtë rast mjekësinë sportive. Nga ana e tij ligjëruesi nga UEFA  z. Richar Grisalde duke i përshëndetur presidentin Vokrri, sekretarin Salihu dhe të pranishmit tha se me vjen mirë që FFK-ja ka arritur të organizojë një konferencë me kaq përmasa shumë domethënëse në një kohë kur mjekësia sportive po përballet me sfidat e reja në kohën bashkëkohore. Ligjëruesi i parë i kësaj konference ishte ish-nënkryetari  dhe themeluesi i Komisionit për shëndetësi në FFK dr. Bekim Haxhiu, i cili foli për sfidat e mjekësisë sportive në futbollin e Kosovës, që nga themelimi i saj në vitin 2008 si dhe për vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar. Pastaj në vazhdim z. Haxhiu ka dhënë detaje edhe të lëndimeve,  natyrës dhe shkallës së lëndimeve gjatë kësaj periudhe. Tutje në ligjëratën e tij z. Jhon Maclean ku  temë bosht ishte vlerësimi i lëndimeve te sportistët me këtë rast futbollistëve, i cili duhet të bëhet sa më shpejt, drejt dhe marrja e masave adekuate. Duhet të veprojmë shpejt, të analizojmë mirë çdo lëndim sepse nganjëherë një lëndim i lehtë në dukje, mund të jetë i vështirë e me pasoja për futbollistin andaj kërkohet trajtim meritor. Pastaj u bë edhe demonstrimi praktikë i qasjes ndaj futbollistit të lënduar dhe marrja e të gjitha masave.  Në ligjëratën Anti-doping ligjëruesi z. Richard Grisalde ka theksuar se marrja e substancave të ndaluara po vie e po rritet, ndaj jemi para sidave që të parandalojmë, por mbi të gjitha duhet ta rrisim vetëdijesimin dhe ta parandalojmë marrjen e këtyre substancave. Duhet që çdo federatë ta ketë sektorin anti-doping si dhe dhomat speciale. Në fund të mbylljes së konferencës pati shumë diskutime dhe u shpërndan certifikatat.