28 mars, 2019 – Federata e Futbollit e Kosovës e ka mbajtur, sot, Kuvendin e Rregullt të Punës. Punimet e këtij kuvendi i ndoqi nga afër presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili kësaj radhe ishte i deleguar nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin në rolin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, në shoqëri të përfaqësuesit tjetër të UEFA-s, Denis Bastari, derisa të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e MKRS-së dhe Komitetit Olimpik të Kosovës. Në punimet e Kuvendit morën pjesë 56 nga 58 delegatë, e ku pasi u votuan trupat punuese dhe u konstatua kuorumi, mbledhja e Kuvendit vazhdoi me rendin e ditës.
Fillimisht presidenti Agim Ademi iu drejtua kuvendarëve me një fjalë rasti ku ndër të tjera theksoi: “Rruga për të arritur deri këtu ku jemi sot ka qenë shumë e gjatë dhe e mundimshme. Gjatë këtij rrugëtimi ka nga ata që nuk janë në mesin tonë, ka nga ata që kanë bankrotuar duke e dhënë edhe metelikun e fundit për futbollin e Kosovës nëpër klubet e tyre në një periudhë tejet të vështirë, gjithnjë për misionin e shenjtë – mbajtjen gjallë të lojës së futbollit, andaj nga ky vend unë i përkulem veprës së tyre dhe gjithë asaj çfarë ata kanë bërë për futbollin. Për mua, këta njerëz; donatorë, lojtarë dhe trajnerë janë heronjtë e futbollit dhe sportit kosovarë. Janë pikërisht ata që e ndërtuan shtëpinë që ne sot e quajmë Federata e Futbollit e Kosovës. Etapa e përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e FFK-së u krye me sukses, pas një pune të jashtëzakonshme, ku meritë të veçantë kishte presidenti tashmë i ndjerë, Fadil Vokrri, së bashku me stafin e tij. Pas gjithë atyre sakrificave të kaluara tash e gati tri vjet jemi në dy shtëpitë më të mëdha të futbollit, në FIFA e UEFA. Tani jemi të radhitur pranë shteteve civilizuese ku duhet t’i përfillim rregullat e përcaktuara me akte normative dhe të sillemi dhe të reflektojmë si institucion serioz dhe kredibil. Unë i takoj dy etapave të futbollit – Asaj të pavarësimit dhe asaj të ndërkombëtarizimit. Jam nga ata njerëz që kanë dhënë për futbollin dhe jo nga ata që kanë marrë nga futbolli, andaj unë i di shqetësimet, dhimbjet, pritjet e nganjëherë edhe hidhërimet sepse nuk jemi të përkryer. Ne jemi Federata më e re në FIFA, por besoj fuqishëm që së bashku do t’ia dalim. Gjatë periudhës prej se ma keni besuar drejtimin e FFK-së, konsideroj se kemi punuar shumë dhe kemi arritur suksese të mëdha, si në aspektin e rezultateve, ashtu edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe në organizim të garave, andaj ndihem shumë i nderuar dhe i lumtur që po i prij këtij institucioni i cili po i sjell kënaqësi një kombi të tërë”.
Më pas një fjalë rasti e ka mbajtur edhe anëtari i KE të UEFA-së dhe njëherësh presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ndër të tjera u shpreh: “Ndjehem i nderuar që ndodhem sot këtu në këtë Kuvend të Punës, jo vetëm si mik i juaji por edhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, prandaj më lejoni t’ju përcjellë përshëndetjet e përzemërta të presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin, i cili konfirmon edhe njëherë mbështetjen e tij të plotë për punën e madhe që është bërë në zhvillimin e futbollit në Kosovë. Ndjehem i nderuar, por në të njëjtën kohë edhe i trishtuar që në këtë sallë nuk e kam mikun tim dhe legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. FFK-ja në vitet e fundit ka bërë hapa të mëdhenj, duke filluar nga anëtarësimi në organizmat ndërkombëtar FIFA e UEFA deri tek projektet e shumta të zhvillimit të futbollit në Kosovë, në ndërtimin e fushave të futbollit dhe në rindërtimin e stadiumit ‘Fadil Vokrri’, të filluara nga presidenti Vokrri dhe të vazhduara nga presidenti Ademi, i cili ka vënë në shërbim të FFK-së të gjithë disponibilitetin e tij për të bërë më të mirën e mundshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Në këtë fazë ku ndodhet futbolli i Kosovës kërkon mirëkuptimin, mbështetjen dhe dashamirësinë e të gjithëve dhe të gjitha institucioneve publike dhe atyre shoqërore. UEFA ka treguar në gjithë këto vite se është një aleat i fortë i futbollit të Kosovës dhe janë bërë investime të rëndësishme në bashkëpunim me FFK-në dhe këto investime dhe projekte nuk do të mungojnë as në të ardhmen. UEFA dhe lidershipi i saj janë në mbështetje të plotë të FFK-së dhe të presidentit të saj Agim Ademi, për të vazhduar rrugën e zhvillimit dhe të suksesit të futbollit në Kosovë”.
Tutje presidenti Ademi ka shpalosur nëpërmjet videoprojektorit aktivitetet dhe të arriturat e FFK-së në periudhën 2018/2019, derisa ka bërë të ditur se propozimi për reformim të ligave, i cili parasheh që Superliga të ketë 10 klube tashmë është dorëzuar në klube në të gjitha regjionet dhe është përkrahur si ide.
Më pas janë aprovuar me unanimitet dhe pa asnjë vërejtje Raporti i Punës, Raporti Financiar dhe Raporti i Garave për vitin 2018. Ndërkohë në pikën e fundit të rendit të ditës, delegati Abedin Zeka ka propozuar që të miratohet një pension për bashkëshorten e ish-presidentit Fadil Vokrri, propozim i cili është mbështetur nga presidenti Ademi dhe është miratuar nga delegatët e Kuvendit. Ndërkohë, punimet e këtij Kuvendi janë mbyllur me një minutë duartrokitje për nder të ish-presidentit dhe legjendës, Fadil Vokrri.