13 dhjetor, 2017 – Në Nion është mbajtur samiti i UEFA-s për siguri, ku ka marrë pjesë edhe një delegacion nga Kosova. Pjesëmarrës të këtij samiti ishin zëvendëssekretari i përgjithshëm i FFK-së, Arianit Ahmeti, Bylent Smakiqi, përgjegjës për siguri, si dhe Bajram Shabani dhe Fatmir Namani nga Policia e Kosovës. Në këtë samit u shkëmbyen përvojat e organizimit të ndeshjeve dhe siguria në stadiume, si dhe masat që duhet ndërmarrë që stadiumet e futbollit të konsiderohen ambient i sigurt për të gjithë pjesëmarrësit. Pjesëmarrësve në samit iu ka drejtuar edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili theksoi se siguria në stadiume duhet të jetë prioritet dhe njerëzit duhet të ndihen të sigurt në stadiume sikurse në shtëpitë e tyre. Ky samit do t’i japë shtysë strategjisë së sigurisë së UEFA-së që ka nisur këtë vit dhe do të vazhdojë deri në vitin 2021. UEFA është duke punuar me të gjitha anëtaret e saj për t’i ndihmuar në zhvillimin e strategjisë dhe aktiviteteve efektive për siguri. Delegacioni i FFK-së pati takim tejet miqësor me nikoqirin e këtij samiti, Stive Frodsdick, i cili me këtë rast tha se me padurim po pret të vijë për vizitë në Prishtinë.