25 maj, 2018 – Në kuadër të projektit “We are all Equal – Të gjithë jemi të barabartë”, që është pjesë e programit “Grassroots” të Federatës së Futbollit e Kosovës, sot, në fushat me bari sintetik në stadiumin e KF “Ramiz Sadiku” është mbajtur turneu në futboll të vogël me fëmijët me nevoja të veçanta nga tetë qytete të vendit: Prishtina, Mitrovica, Fushë Kosova, Ferizaj, Prizreni, Malisheva, Obiliqi dhe Podujeva. Pjesë e turneut ishin edhe juniorët e KF “Ramiz Sadiku”, të cilët u ftuan për t’i asistuar fëmijët e tjerë gjatë lojës.
Menaxherja e programit “Grassroots” në FFK, Sanije Krasniqi, ka theksuar se edhe në të ardhmen do t’i kushtohet rëndësi dhe përkushtim fëmijëve me nevoja të veçanta me projekte të ndryshme, derisa është shprehur e kënaqur me faktin që në aktivitetet e deritashme ka parë buzëqeshje dhe argëtim të madh tek këta fëmijë me lojën e futbollit. Ajo ka bërë të ditur se me këtë turne është finalizuar pjesa e parë e këtij projekti, derisa nga shtatori do të ketë aktivitete tjera, ku do të ketë shtrirje edhe më të madhe në nivel vendi.
Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Përparimi”, Kimete Bekaj, ka falënderuar FFK-në për realizimin e këtij projekti, duke e vlerësuar si tejet të rëndësishëm. Sipas saj, aktivitetet e deritashme që kanë mbajtur në kuadër të këtij projekti i kanë bërë fëmijët tejet të lumtur dhe ka ndikuar shumë pozitivisht në zhvillimin psikomotorikës së tyre.
Pas shumë ndeshjeve interesante plotë garë e argëtim për fëmijët, në fund për të gjitha ekipet pjesëmarrëse u shpërndanë medalje, të cilat u pritën jashtëzakonisht mirë nga fëmijët, si dhe si zakonisht u shtrua edhe dreka e përbashkët.