14 shtator, 2018 – Në kuadër të programit të UEFA-s “Grassroots”, Federata e Futbollit e Kosovës ka vazhduar me projektin “We are all Equal – Të gjithë jemi të barabartë”, me fëmijët që kanë ngecje në zhvillim. Ky projekt ka filluar të zgjerohet edhe në qytetet e tjera përveç në kryeqytet. Kësisoj, dje, një aktivitet i tillë është mbajtur në Kaçanik, ku fëmijët e kësaj komune kanë pasur mundësinë që për dy orë të argëtohen me lojën e futbollit dhe lojëra tjera të ndryshme. Ndërkohë, sot, është mbajtur aktiviteti i radhës në stadiumin e KF ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë, me fëmijët e Qendrës Burimore për mësim dhe këshillim “Përparimi”. Menaxherja për Grassroots në FFK, Sanije Krasniqi, ka bërë të ditur se gjatë muajit të ardhshëm ky aktivitet do të shtrihet edhe në qytetet e tjera si Podujevë, Malishevë, Gjakovë, Mitrovicë dhe më pas në tërë Kosovën. “FFK është e përkushtuar që t’iu ofrojë mundësi për rekreacion dhe socializim nëpërmjet futbollit fëmijëve me ngecje në zhvillim. Është obligim i tërë shoqërisë që të bëjë më tepër për këtë kategori të fëmijëve dhe vërtet është kënaqësi kur i shohim ata se sa shumë janë lidhur me lojën e futbollit dhe si argëtohen në lojën me top nën përkujdesjen e trajnerëve”, ka theksuar Sanije Krasniqi. Në fund të këtij aktiviteti si zakonisht për të gjithë pjesëmarrësit u shtrua drekë e përbashkët.