15 prill, 2018 – Sot, në Prizren, u përmbyll turneu i parë në kuadër të projektit që e ka filluar Federata e Futbollit e Kosovës në partneritet me UEFA-n, “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin shkollor”, i cili ka për synim masovizimin e futbollit, ndërgjegjësimin që edhe femrat të merren me këtë sport, si dhe zbulimin e talenteve të futbollit. Pas dy ditësh gara, SHFMU “Naim Frashëri” – Vlashne doli fituese e këtij turneu, pasi në finale shënoi fitore kundër SHFMU “Naim Frashëri – Kobaj, 1:0, derisa vendi i tretë i takoi SHFMU “2 Dëshmorët” – Piranë. Ashtu sikur në ndeshjet e djeshme, edhe në gjysmëfinale dhe në finale u shfaq dëshirë dhe përkushtim i madhe i vajzave për lojën e futbollit, derisa pedagogët dhe trajnerët e futbollit që ndoqën turneun patën mundësi të shohin disa prej vajzave që kanë talent për këtë sport dhe që duhet inkuruajuar për t’u marrë me futbollin më seriozisht, duke qenë pjesë e ndonjë klubi apo shkolle. Në fund të turneut për ekipet më të mira u shpërndanë kupa, kurse për tetë ekipet pjesëmarrëse mirënjohje nga FFK-ja. Ky projekt do të vazhdojë në turneun në Ferizaj në mesjavë dhe me pas edhe në qytetet e tjera.