29 mars, 2019 – Në kuadër të partneritetit trepalësh, FFK – MKRS – Komuna, për investim në përmirësimin e infrastrukturës së objekteve sportive, sot, në fshatin Sadovinë të Vitisë, është bërë përurimi i fushës me bari sintetik. Në ceremoninë e përurimit të kësaj fushe, krahas presidentit të FFK-së, Agim Ademi, morën pjesë edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi dhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, drejtues të KF “Vllaznia”, struktura komunale dhe sportive si dhe qytetarë të shumtë. Me këtë rast presidenti Ademi ka uruar KF “Vllaznia” dhe banorët e kësaj ane për fushën e ndërtuar, derisa ka thënë se ky është një investim i UEFA-s e FIFA-s nëpërmjet FFK-së dhe në partneritet me MKRS-në dhe komunat, që ofron mundësi e kushte shumë më të mira dhe moderne për zhvillimin e futbollit dhe të talenteve në këtë anë. Tutje presidenti Ademi ka thënë se FFK-ja e ka si objektiv që të bëjë sa më shumë terrene të tilla, në mënyrë që çdo ekip ta ketë fushën e vet dhe fëmijët që merren me futboll të kenë kushtet e duhura për ta shfaqur talentin e tyre në fusha cilësore dhe të mirëmbajtura. Kjo është fusha e dytë e përuruar pas asaj në Skenderaj, derisa katër fushat e tjera në Gjilan, Mitrovicë, Podujevë e Gjakovë do të përurohen së shpejti. Gjithashtu, presidenti Ademi ka bërë të ditur se shumë shpejtë do të fillojë edhe ndërtimi i 6 fushave tjera me bari sintetik me mbështetjen e MKRS-së dhe komunave. Në fund të ceremonisë presidenti Ademi është nderuar me mirënjohje dhe fanellë nga kryetari i KK të Vitisë dhe nga KF “Vllaznia” e Pozheranit.
.