3 maj, 2024 – Sot në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, është bërë tërheqja e shortit për raundin e parë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024/2025 për Kombëtaret U-17  dhe U-19.

Në 14 grupet sa janë ndarë ekipet kombëtare U-17, shorti i së premtes e ka vendosur Kombëtaren e Kosovës në grupin e 4-t, bashkë me Belgjikën, Ukrainën dhe Kazakistanin.

Me datën 6 maj, do të vendoset për nikoqirin e turneut kualifikues të këtij grupi, derisa siç është e ditur tashmë, Evropiani 2025 me tetë ekipet finaliste do të zhvillohet në Shqipëri.

Po ashtu sot u tërhoq edhe shorti i raundit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024/25 për Kombëtaren U-19, i cili ka përcaktuar 13 grupet që do të fillojnë rrugëtimin drejt turneut final me tetë ekipe, që do të mbahet në Rumani në verën e vitit 2025.

Kombëtarja e Kosovës e grup moshës U19 tashmë i përket grupit të 10-të, pjesë e të cilit janë edhe Spanja, Austria dhe Ishujt Faroe.